Historiku

Në një kuadër të gjerë, atje ku historikisht vendoset Shqipëria, vetiu atje është dhe Vlora. Vlora që i jep Shqipërisë karakterin e plotë mesdhetar duke na vendosur natyrshëm në gjerdanin e pasur të popujve e kombeve fqinje. Vlora me tradita të lashta shëndetësore, me intelektualë të afirmuar për kohën, por edhe të harruar, të lënë në harresën e viteve që kërkojnë më të voglin privilegj, të njihen, të evidentohen këta heronj të heshtur të shëndetit të popullit.

Emri i Vlorës është nga të paktët emra gjeografikë të bregdetit lindor të Adriatikut dhe Jonit që i ka qendruar kohës. Në bregdetin e banuar nga popullsia Shqiptare, ky emër del i afërt me Durrësin, Shkodrën dhe Ulqinin. Fakti që Ptolemeu e quan Aulona “Qytet skele” dëshmon se është themeluar shekuj më parë se shekulli i II i erës sonë. Aulona qytet skelë i pa dokumentuar për disa shekuj shfaqet në dokumentet e Venedikut si një por i rendësishëm mallrash, port ku ankorohet vapori Austriak “Llloridi” dhe ai Italian “Pulia”.

Në qytet porte ka ekzistuar një ligj i vjeter i transmetuar deri në shekujt e fundit mbi ekzistencën karantinës, ku siç dihet mbaheshin njerëz të izoluar për disa ditë, por u jepej ndihma mjeksore në nivel teknik.

Në rrjedhën e historisë, Vlora ka njohur shumë pushtues. Vetëm në vitin 1850 Instituti Administrativ i Shëndetësisë të Perandorisë Turke dërgon mjekë që kujdesen dhe për popullatën. Nga hulumtimet rezulton se ishte mjeku Dervish Ibrahim Mahmuti si ndër të parët, i lindur në Vlorë që mbaron fakultetin e mjekësisë në Stamboll. Mjekë të tjerë që kanë punuar në Vlorë janë: Nikola Francisko, Niko Milo, LLambi Cukali, Epaminonda Koleka, Auerback (Austriak), Theodhori Lluka, Tasim Peshkëpia, Spiro Papakristo, Nasho Qirko, Eleni Andruci, Asllan Merlika, Natalia Myrzabeg, Kostandin Kauri.

Spitali i Parë në qytetin tonë u ngrit në godinën e karantinës pranë muzeut historik të Pavarësisë Kombëtare në Skelë. U ngrit me 8 shtretër fillimisht.

Qeveria e përkohëshme e Ismail Qemalit e mbështeti me investime dhe e kaloi në spital me 20 shtretër. Ky spital funksionoi deri në pushtimin Italian. Më pas u zhvendos në godinën e Drejtorisë së sotme me dy baranga anash. Organika e parë e spitali përbëhej nga Dr. Ali Mihali drejtor, Dr. Musa Delvina dhe Ibrahim Dhrami si patolog, Dr. Ismet Gega kirurg, Bajram Emiri asistent kirurg, Emin Kuzumi si kryeinfermier, disa shërbetore si sanitare, një kuzhinier dhe një roje xhandar.

Në vitet 1911 – 1914 vijnë në Vlorë edhe shumë mjekë të tjerë si Simon Simonidhi, Halil Kamberi, Halil Luloçi, Avdul Vranari, Bari Çobani, Bedri Përmeti, Isak Korça, Haki Mbaria, Bedri Puto, Omer Nishani, Ismet Gega, Xhafer Kongoli, Musa Delvina, Mihal Cani, Filip Papa, Musa Ohri.

Në 1916 u ndërtuan godinat që janë dhe sot (pavionet 1 katëshe) gjithsej 4 godina me 50-60 shtretër. Me vendim të qeversië së përkohëshme të Vlorës mjeku Ali Mihali emërohet drejtor i përgjithshëm, drejtor i spitalit dhe laboratorit.

Me largimin e Italisë drejtor emërohet mjeku patriot Shezai Çomo. Në vitet 1923 – 1924 një shoqëri Angleze mundësoi 6 shtretër për të semurët me TBC dhe 2 shtretër për observim infektivi.

Në vitin 1926 qeveria e Ahmet Zogut vendos drejtor Fahri Reshitin. Në këtë periudhë paguheshin edhe 8 mjekë të tjerë. Në vitet 1933 – 1935 drejtor emërohet Dr. Shyqyri Cupishti, kirurg. Në vitin 1939, me pushtimin italian, vjen dhe punon si kirurg Prof. Lemani (mjek Gjerman) më vonë vjen mjeku Italian Prof. Spinelli dhe mjeku shqiptar Vasil Dhimitri, drejtor deri më 1944, ky i fundit, hap repartin e radiologjisë që më 1931. Rajoni i vjetër i pediatrisë ishte në Qafë Babicë, sot kjo godinë nuk ekziston. Në 1945 Spitali i Vlorës kishte 160 shtretër.

60 pathologji

30 kirurgji

25 pediatri

20 materniteti

20 infektivi

Funksiononin gjithashtu Laboratori, Radiologjia dhe Farmacia. Poliklinika e parë hapet pranë tregut të sotëm në një godinë 2 katëshe. Hapen dhe shtreter per ORL-Okulistikën dhe në 1946 spitali kishte 94 punonjës, 35 ishin infermierë, Drejtor dr. Mihal Angjeli, kapaciteti 245 shtretër, duke shtuar 10 shtretër për otojatërin dhe 45 për infektivin.

Me plotë gojën mund të themi se Dr. Ali Mihali është ndër themeluesit e Spitalit Civil të Vlorës, ndër mjekët kolloz të shërbimit të patologjisë që hodhi themelet e mjekësisë bashkëkohore.

Ai hodhi themelet e statistikës mjekësore, këtë ai ia trashgoi edhe të bijës. Ai themeloi shërbimin neuro-psikiatrik. Këtë profesion ia trashëgoi djalit, Mehmet Mihalit. Deri në vitin 1974 spitali ka funksionuar në godinat e vjetra. Në vitin 1974 ndërtohet godina e re, e cila funksionon edhe sot me shërbime dhe infrastrukturën më të mirë të kohës, me një numër shtretërish 370, duke iu përgjigjur rritjes së popullsisë.

Në spital, gjithashtu, funksionon reparti i imazherisë , laboratori, reparti i pediatrisë, reparti i kirurgjisë, ORL-Okulistikë, kirurgji maksilo-faciale, patologjia, shërbimi infektiv, dispanceria, dhe shtëpia e lindjes. Në periudhën 1945 – 1990 spitali ka funksionuar me gjithë specialitetet, me një numër mjekësh gjithmonë në rritje.

Sot spitali funksionon me këto shërbime:

Shërbimi i imazherisë

Laboratori klinik

Shërbimi i kirurgjisë

Kirurgji e përgjithëshme

Urologji – Endoskopi

Ortopedi – Traumatologji

ORL – Okulistike

Kirurgji maksilo-faciale

Shërbimi i patologjisë

Kardiologji

Pneumologji – Alergologji

Gastrohepatologji

Nefrologji

Endokrinologji

Neurologji

Reumatologji

Hematologji

Shërbimi i renimacionit

Shërbim Obstetrik gjinekologji

Patologji infektive

Banka e gjakut

Spitali ka rreth 100 mjekë e 320 infermierë të lartë dhe është i organizuar në 370 shtretër të cilët ndahen si më poshtë:

Pedriatria – 50 shtretër

Kirurgjia – 45 shtretër

Patologjia – 80 shtretër

Infektivi – 30 shtretër

Orl – Okulistika – 10 shtretër

Shtëpia e lindjes – 85 shtretër

Reanimacioni – 12 shtretër

Na vizitoni në

Na kontaktoni

Lagja: "Partizani", Spitali Rajonal Vlore.
Email : spitalivlore@shendetesia.gov.al
Telefon: +3553322657